Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e këshilltarja politike e kryeministrit, Ardita Sinani kanë pritur në takim përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak e shqiptar që jetojnë në Serbi.
“Nga delegacioni i SDA Shanxhak që kryesohej nga kryetari Dr. Sulejman Ugljanin, i shoqëruar nga kryetari i PVD, Shaip Kamberi, dhe dy deputetët e tjerë në Kuvendin e Serbisë, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic, kryeministri Kurti u njoftua për brengat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen”, njofton Zyra e Kryeministrisë.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se me përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë është diskutuar edhe për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Të drejtat e komuniteteve joshumicë në shtetet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë, theksoi Kryeministri Kurti. Ai shtoi se komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, vijon njoftimi.
Tutje thuhet se tre deputetët në Kuvendin e Serbisë që pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe Shaip Kamberi, së bashku me Sulejman Ugljanin, kanë potencuar që janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë.
Mes të tjerash njoftohet se ata kanë kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës.