Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përmes një fjalimi që ka mbajtur në Shtutgart të Gjermanisë, ka deklaruar se Kosova ka për synim kryesor anëtarësimin në Aleancën Veri Atlantike(NATO) dhe Bashkim Evropian(BE).
Në fjalimin e tij në konferencën “ISOA 2022”, ministri Mehaj, ka thënë se situata destabilizuese e sigurisë në Rusi dhe Ukrainë, prek Evropën dhe Ballkanin.
“Kosova mbështet fuqishëm Ukrainën dhe dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Ne qëndrojmë të vendosur përkrah partnerëve tanë dhe vlerave të demokracisë. Synimi kryesor i vendit tonë është anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo çështje shkon përtej politikës, ky është përafrim i natyrshëm me vlerat që ne, populli i Kosovës i përmbahemi”, ka thënë Mehaj.
Mehaj ka theksuar se Kosova ka krijuar 10 zona të lira ekonomike që ofrojnë lokacion të favorshëm gjeografik, mjedis të favorshëm biznesi, kosto më të ulëta operative, infrastrukturë të gatshme për shfrytëzim, dhënie me qira të lokaleve afariste dhe kushte të tjera të favorshme.
“Për këtë arsye, ftoj secilin prej jush të vini në Kosovë dhe të shihni potencialin për investime dhe mundësitë për bashkëpunim”, ka shtuar Mehaj.
Gjatë kësaj konference, ministri Mehaj do të takohet edhe me personalitete të shquara ushtarake amerikane, liderë të kompanive të njohura të industrisë së mbrojtjes amerikane, ekspertë etj.
ISOA është asociacioni i prodhuesve më të mëdhenj amerikanë të industrisë së mbrojtjes.
Ndryshe, ministri Mehaj kishte bërë thirrje edhe herëve të tjera për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.
Ai kishte thënë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.