Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), të shtunën, rrëzuan një balonë “spiune” kineze në brigjet lindore të Amerikës, tri ditë pasi u pa për herë të parë duke lundruar mbi baza të ndjeshme ushtarake bërthamore.
Operacioni i shpejtë i Forcave Ajrore të ShBA-së me një avion luftarak F22, gjuajti një raketë AIM-9X përmes balonës së heliumit, duke e shfryrë atë dhe duke e dërguar ngarkesën në rënie drejt Oqeanit Atlantik.
Një operacion ishte duke u zhvilluar në ujërat territoriale të SHBA-së, për të rikuperuar mbetjet e gjetura nga balona, e cila pritet të përfshijë instrumente dhe sensorë.
Çdo gjë që është gjetur do të dërgohet në një laborator të FBI-së në Quantico, Virxhinia, kështu kanë bërë të ditur zyrtarët.
Ministria e Jashtme e Kinës dënoi të dielën sulmin ushtarak ndaj një anijeje, e cila, sipas saj, ishte përdorur për qëllime meteorologjike dhe të tjera shkencore, dhe për të cilën tha se kishte humbur në hapësirën ajrore të SHBA “krejtësisht aksidentalisht”, pretendime të hedhura poshtë nga zyrtarët amerikanë.
“Kina shpreh pakënaqësi dhe protesta të forta kundër përdorimit të forcës nga Shtetet e Bashkuara, për të sulmuar aeroplanin civil pa pilot”, ka thënë Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë, duke shtuar se Kina rezervon të drejtën për të dhënë përgjigje të mëtejshme.
Prania e balonës, e cila kishte fluturuar në rreth 18 mijë e 300 metra lartësi dhe vlerësohet të ishte rreth madhësisë së tre autobusëve, kjo u bë publike për herë të parë të enjten kur ishte mbi qendrat bërthamore amerikane në Montana.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ishte në një nga Forcat Ajrore derisa ndodhi operacioni, mbërriti në Camp David të shtunën mbrëma, ndërsa, ekipet e rikuperimit udhëtuan jashtë vijës bregdetare të Karolinës për të rikuperuar mbeturinat, që priten të ishin të mbushura me instrumente dhe sensorë.
Kuptohet se balona u lëshua nga Kina dhe bëri rrugën e saj përtej Oqeanit Paqësor, mbi ishujt Aleutian, poshtë Kanadasë dhe drejt ShBA-së e lart mbi Montana.
Duke folur para rrëzimit të balonës, Pekini të shtunën u përpoq të minimizonte rëndësinë e pajisjes.
Nga ana e tyre thuhej se “nuk do të pranonte asnjë hamendje apo reklamë të pabazë”, kështu duke akuzuar “disa politikanë dhe media në ShBA” për përdorimin e incidentit “për të sulmuar dhe njollosur Kinën”, dhe i kishin kërkuar Uashingtonit të qëndronte “me mendje të ftohtë”.
Shteti kinez këmbënguli se balona ishte thjesht një “aeroplan” civil i gabuar, i përdorur kryesisht për kërkime meteorologjike që doli jashtë kursit për shkak të erërave dhe kishte vetëm aftësi të kufizuara “vetëdrejtuese”.
E vërteta e kësaj do të testohet kur ShBA të jetë në gjendje të ekzaminojë çdo gjë që ka mbetur nga balona, e cila do të dërgohet në një laborator të FBI-së në Quantico, Virxhinia, raporton The Telegraph.
Pyetja tani është, çfarë do të gjejnë? Mund të ketë dëmtime nga uji dhe ndarje të mundshme nga ndikimi. Nëse të gjitha të dhënat do të transmetoheshin përsëri në Kinë, ato mund të ishin fshirë.
Sulmi vjen pasi një anije e dytë u pa mbi Amerikën e Jugut, mbi Kolumbi dhe Venezuelë, të shtunën.