Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), ka njoftuar se si pasojë e erërave të forta, në disa rajone të Kosovës janë dëmtuar përçues elektrikë dhe shtylla elektrike.
Si pasojë e dëmtimit të përçuesve elektrikë dhe shtyllave elektirike, kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike një numër i caktuar i shtëpive në disa rajone.
“Erërat e forta që filluan dje në disa rajone të Kosovës, kanë vazhduar edhe sot thuaja në tërë territorin e Kosovës. Si rezultat janë dëmtuar përçues elektrikë dhe shtylla elektrike në disa vende, duke lënë pa furnizim me energji elektrike një numër të caktuar të konsumatorëve tanë”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Po ashtu, KEDS-i ka shtuar ekipet në terren, në mënyrë që t’i sanojnë dëmet e shkaktuara.
Ndërkaq, ata kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve në zonat e afektuar nga erërat, pasi, sipas tyre, në një afat sa më optimal gjendja me furnizim me energji elektrike do të kthehet në normalitet.