Shqipëria është shprehur e gatshme të ndihmojë Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit të mëngjesit të gjashtë shkurtit, ku mbi 500 persona janë gjetur të vdekur.
Përmes një postimi në Twitter, ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se Tirana është gati të asistojë me gjithçka që është e mundur.
“Zemrat dhe lutjet tona janë me viktimat e tërmetit tragjik, i cili goditi Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar qindra viktima”, ka shkruar Xhaçka, duke shtuar se “në këto orë të vështira, Tirana është gati të asistojë me çfarë të mundet”, shkroi ajo.
Our hearts and our prayers go to the victims of the tragic earthquake that hit #Türkey 🇹🇷 & #Syria 🇸🇾 today causing hundreds of victims. In this difficult hour we are ready to assist #Türkey in any way we can. @MevlutCavusoglu @MFATurkiye
— Olta Xhaçka🇦🇱 (@xhacka_olta) February 6, 2023
Pasojat e tërmetit që e goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën janë të mëdha. Numri i viktimave ka shkuar në më shumë se 500 në të dyja vendet.
Të paktën 284 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,300 janë plagosur në Turqi, sipas nënpresidentit të vendit, Fuat Oktay.
Në Siri, të paktën 237 njerëz u vranë dhe 639 u plagosën, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Turqi dhe Siri tani është të paktën 521.
Tërmeti është një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në më shumë se 100 vjet dhe shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur ndërtesa dhe duke i bërë banorët të vrapojnë në rrugë.
Më shumë se 1,700 ndërtesa u dëmtuan në 10 qytete turke, tha zëvendëspresidenti turk.