Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për viktimat që kanë humbur jetën në tërmetin e fuqishëm që ka goditur Turqinë.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin popullit turk, Presidentit të Republikës së Turqisë, z.Recep Tayyip Erdoğan, Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe Presidentit të saj, z.Mustafa Şentop”, ka shkruar Konjufca.
Tutje, kryekuvendari ka thënë se “zemrat tona të thyera janë me familjet e viktimave të tërmetit dhe lutemi për shërimin e të lënduarve”.
Ndryshe, të hënën, një tërmet me magnitudë 7.8 ballë ka goditur Turqinë dhe Sirinë duke lënë të vdekur deri më tani mbi 600 persona.