Artistja shqiptare, me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha të dielën mbrëma ishte pjesë e Grammy 2023.
Teksa kalonte në tapetin e kuq të Grammy 2023, ajo u shpreh që ndihet e lumtur pasi ishte nominuar në këtë garë të madhe.
“Është kaq e çmendur, kaq e papritur. Ne e shkruam këngën vetëm për argëtim, dhe më pas ja ku jemi në Grammy, të nominuar fjalë për fjalë pikërisht ashtu!” ka thënë këngëtarja për PEOPLE.
Edhe pse të gjithë fansat po prisnin që Bebe Rexha të ishte fituese e çmimit të vetëm për të cilin kishte arritur të nominohej këtë vit, kjo gjë nuk ndodhi.
Bebe Rexha, ishte nominuar në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për bashkëpunimin e saj shumë të suksesshëm “I’m Good (Blue)” me DJ David Guettan, por këtë çmim e fitoi Beyonce, ashtu siç fitoi edhe shumë të tjerë në këtë garë, e ku jo rastësisht theu të gjitha rekordet e bëri histori në Grammy.
Fansat e kanë quajtur diskriminim për Bebe Rexhen sepse sipas tyre, kënga “I’m Good (Blue)” ishte njëra ndër pretendentet më të forta për ta fituar këtë çmim sivjet.
Kënga e Bebe Rexhës ka mbi 110 milionë klikime në YouTube, ndryshe nga sa ka “Break My Soul” e Beyoncet (vetëm 36 milionë).
Megjithatë, ani pse Rexha nuk morri çmim, ajo nuk dha ndonjë koment për këtë.
Ndër të tjerash ajo është shprehur se po vjen një këngë e re nga ajo, e frymëzuar nga vitet ’70.
“Kam muzikë të re që po e nxjerr në javën e dytë të shkurtit, kështu që jam shumë e emocionuar”, tha Rexha.