Përmes një letre drejtuar presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, i ka shprehur ngushëllimet më të thella atij dhe familjarëve të viktimave të tërmetit, i cili goditi sot Turqinë, kurse të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.
Sipas njoftimit të Zyrës së kryeministrit, në letër, më tej, thuhet se në këtë kohë të vështirë, Republika e Kosovës është pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk dhe është e gatshme, mbi bazën e kapaciteteve të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, që të ndihmojë në kalimin e kësaj tragjedie.
Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi.