Skitarja amerikane, Mikaela Shiffrin, humbi atë që dukej si një medalje e sigurt ari, të hënën në ditën e parë të Kampionatit Botëror, duke përfunduar jashtë shtegut të garës së kombinimit.
Shiffrini kapërceu një portë në lëshimin e saj në sllallom, ndërkohë që dukej se ishte afër mposhtjes së lideres të garës së parë dhe fitueses përfundimtare, Federica Brignone të Italisë.
“Nuk ndodh shumë shpesh, jo. Ndihesha sikur po skijoja shumë mirë”, tha Shiffrin, e cila ishte kampione në fuqi e kësaj gare. “Kam pasur një lëshim vërtet të mirë, por pastaj gjithçka u rrënua”
Shiffrini ishte duke garuar në garën e saj të parë të madhe që nga dështimi për të fituar medalje në gjashtë garat që i pati në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit vitin e kaluar.
Amerikania po kalon një sezon fantastik në Kupën e Botës, ku ka fituar 11 gara, duke përfshirë pesë sllallome, nga 23 gjithsej. Duket se do të jetë në rrugën drejt titullit të pestë të përgjithshëm – që konsiderohet çmimi më i rëndësishëm në garat e skijimit.
Ajo fitoi tri gara brenda gjashtë ditëve dy javë më parë, për të arritur shifrën e 85 fitoreve në Kupën e Botës. Ka kaluar rekordin e mbajtur nga ish-shoqja e saj e ekipit, Lindsey Vonn, prej 82 fitoreve. Është vetëm një fitore larg për të barazuar rekordin e suedezit Ingemar Stenmark, që kishte 86 fitore në garat e Kupës së botës në vitet 1970 dhe 1980.
Garat e kampionatit botëror nuk llogariten në Kupë të Botës.
Shiffrin ishte prapa Brignones me 0,96 sekonda, pas pjesës super-G të garës të së hënës. Thuajse kishte anuluar plotësisht dallimin në sllallom, përpara se të dilte nga shtegu.
“E vetmja mënyrë për ta tejkaluar Brignonen ishte të skijoja me shpejtësi të plotë. Kështu që unë po bëja këtë dhe kisha parasysh rrezikun se mund të mos e përfundoja garën”, pranoi Shiffrin. “Kjo është ajo që duhet të bësh nëse dëshiron të fitosh një medalje në kampionatin botëror. Në fund, nuk arrita ta bëjë një gjë të tillë dhe dola nga gara. Megjithatë, jam e motivuar për garat tjera që më presin”.
Shiffrin reagoi me habi të dukshme dhe mbeti gojëhapur kur nuk e përfundoi garën. Më pas ajo shkoi te Brignone dhe përqafoi skiataren italiane, të cilës ia uroj fitoren.
“Pra, ky dështim është zhgënjyes, por është gjithmonë mjaft pozitive bazuar në faktin se si po skijoja”, tha Shiffrin, e cila do të jetë plotësisht gati për garën e ardhshme që mbahet të mërkurën në super-G. “Kam disa punë për të bërë për të kuptuar se ku mund të kompensoj ca kohë në garën super-G. Është shumë argëtuese të bësh ski në këtë kodër, kështu që mezi po e pres”.