Pak ditë para 14 shkurtit, kur dhe bëhen dy vjet nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se gjatë kësaj periudhe kohore është kuptuar se sa të pavlera, sipas tij, u bënë premtimet e dhëna nga Qeveria aktuale.
“Në një kohë kur familjet po përpiqen t’ia dalin mbanë, kur sistemi ynë shëndetësor është në krizë, kur të rinjtë tanë po largohen nga vendi, kur kosto e jetesës çdo ditë po rritet, e kur pagat e secilit mbesin të ulëta, Qeveria do të festojë”, ka thënë Abdixhiku.
“Kuptuam mungesën e ndjeshmërisë së pushtetarëve në çdo krizë me të cilën përballen njerëzit tanë. Kuptuam arrogancën e brendshme e përplasjen e panevojshme me aleatët jashtë. Kuptuam paaftësinë qeverisëse për të dhënë ndryshimin që Kosova e meriton”, ka shtuar ai.
Tutje, i pari i LDK-së ka theksuar se gjatë ditëve në vijim do t’i numërojnë “këto dështime”, sepse siç thotë ai, Kosova “mundet shumë më mirë”.