Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ditëve dhe javëve të fundit, kanë qenë cak i disa sulmeve në veri të vendit. Nga 13 deri më 26 prill, Policia e Kosovës u sulmua gjashtë herë. Sulmet ndaj tyre ndodhën me vendosje të iriqëve metalikë në rrugë, gjuajtje me gurë, granata dore dhe me përdorim të AK 47.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë Telegrafit se, BE-ja dënon ashpër sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës.
“Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmet e fundit ndaj patrullave të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës ndaj policëve të saj është i papranueshëm”, ka thënë Stano, në një përgjigje me shkrim.
Ai më tej ka kërkuar nga të gjithë që t’i shmangin spekulimet e panevojshme, që, sipas tij mund të shtojnë tensione të mëtejshme.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, është shprehur Stano.
I pyetur se a mund të jetë në të ardhmen, kjo çështje, pjesë e temave të tryezës së dialogut, zëdhënësi i BE-së nuk ka dhënë përgjigje.
Ndërkaq, sa i përket një takimit të ardhshëm që është përfolur në mes të kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Stano është shprehur se “ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut kur është e nevojshme”.
Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në drejtim të Bërnjakut. Ministria e Punëve të Brendshme e ka cilësuar sulmin si akt terrorist, që “është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
Për sulmin në veri kishte reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
“Për tri ditë resht, zyrtarë policorë të Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot herët, një breshëri plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ardhur nga Serbia”, ishte shprehur Kurti.
Edhe liderët e partive politike në Kosovë dënuan sulmet ndaj Policisë së Kosovës, duke i quajtur akte kriminale dhe të patolerueshme.
Për sulmin e fundit ndaj Policisë së Kosovës, që kishte ndodhur të martën më 26 prill, kishte reaguar edhe Lista Serbe, e cila përmes një komunikate u kishte bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.
“Ftojmë qytetarët të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”, thuhej në reagimin e Listës Serbe.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, të cilët kanë shprehur gatishmëri për të ofruar asistencë./Telegrafi