Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë disa mendime se si duhet të jetë marrëveshja me Serbinë.
Përmes një postimi, Hoti ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare dhe jo e ndërmjetme, “sepse ndryshe mbetet problem i hapur për të ardhmen dhe kjo e rrit pasigurinë politike në gjithë rajonin”.
Hoti ka shtuar se kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, “që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve”.
Ish-kryeministri i vendit ka shtuar se kjo marrëveshje duhet të jetë me garanci ndërkombëtare, “ku BE dhe ShBA marrin përsipër obligime të caktuara që burojnë nga marrëveshja, në veçanti lidhur me integrimin euro-atlantik të Kosovës”.
Hoti ka theksuar se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë për normalizim të marrëdhënieve, dhe përmes marrëveshjes së njëjtë të adresohen të gjitha çështjet mes dy vendeve bazuar në standardet evropiane të fqinjësisë së mirë.
Në fund, Hoti potencoi se kjo marrëveshje duhet të jetë për njohje reciproke.