Ministri i Shëndetësisë (MSh), Arben Vitia, të martën e shtatë shkurtit është takuar me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
Ky takim i tij vjen në vazhdën e vizitave në komunat ku pritet të fillojnë investimet në sektorin e shëndetësisë.
Në njoftimin e MSh-së thuhet se ministri Vitia ka vizituar Komunën e Shtimes ku është planifikuar ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet në vlerë prej 1 milion e 250 mijë euro, si dhe ndërtimi i Entit Special në këtë komunë, për të cilin janë ndarë 4 milionë euro.
Në këtë takim, ministri Vitia është shprehur se përveç planifikimit për ndërtimin e projekteve kapitale, mbetet i përkushtuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Komunës së Shtimes.
“Ishte kënaqësi takimi me kryetarin Aliu. Me projektet e reja të cilat u prezantuan nga kryetari dhe drejtori i shëndetësisë, është tregues se në shëndetësi qytetarët e Shtimes në të ardhmen do të kenë shërbime shumë më cilësore. Sot biseduam edhe për dy projekte me rëndësi, siç janë ndërtimi i Entit Special dhe i QKMF-së në këtë komunë, projekte të cilat do të jenë në fokusin tonë dhe prioritete si Ministri e Shëndetësisë”, ka thënë Vitia.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Shtimes ka shprehur falënderimin për angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë që Komuna e Shtimes të ketë investime të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë. Sipas tij, është lajm shumë i mirë që vëmendja e pushtetit qendror është kthyer edhe kah Komuna e Shtimes, e cila ka qenë e diskriminuar sa u përket investimeve në sektorin e shëndetësisë.