Gjukanoviq: E mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai është shprehur i bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, ka thënë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Kështu tha ai të martën para gazetarëve në Podgoricë, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë të saj zyrtare në këtë shtet.

Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat, shkruan REL.

“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.

Ajo falënderoi Gjukanoviqin për mbështetjen e tij, dhe tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.

Duke folur për raportet e ndërsjella, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme dhe miqësore, Gjukanoviq tha se ka punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar.

Gjukanoviq tha gjithashtu se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”.

Osmani tha se gjatë takimit është biseduar për potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjukanoviq dhe Osmani do të marrin pjesë në panelin e presidentëve “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor: Sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi.

Në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit, ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi.

Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Gjukanoviq e njohu Kosovën në tetor të vitit 2008, tetë muaj pas vendimit të Prishtinës për ta shpallur pavarësinë.

Në të njëjtën kohë, opozita e atëhershme malazeze, e udhëhequr nga lideri i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, protestoi duke kërkuar anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës.

Pas tri dekadash në pushtet, DPS e Gjukanoviqit humbi zgjedhjet e gushtit 2020. Aktualisht ajo është partia më e fortë opozitare në Mal të Zi.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika