Parregullsi e diskriminime në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator të BQK-së

Gara për përzgjedhjen e kandidatëve për guvernator të BQK-së është duke u përcjellë me diskriminime e parregullsi

Procesi i përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për pozitën e të parit të BQK-së, po vlerësohet se është përcjellë me parregullsi.

Të gjitha këto pretendime i ka përmbledhur një mendim të ndarë nga anëtarët e tjerë, kryesuesi i panelit për përzgjedhjen e kandidatëve për guvernator të ri, Flamur Mrasori.

Ish-kryetari i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori ka adresuar parregullsi gjatë procesit të përcaktimit  të listës së kandidatëve të propozuar për Kuvend/Qeveri për t’u përzgjedhur në pozitën e guvernatorit të institucionit më të lartë financiar në vend.

Në dokumentin e siguruar nga Reporteri.net, Mrasori, i cili kishte qenë në cilësinë e kryetarit të Panelit, është ankuar për diskriminim të kandidatëve që kanë qenë të përfshirë në këtë proces duke e bërë kështu procesin juridikisht të pasigurt.

Më datë 25 janar 2023 kur edhe kishte përfunduar procesi i intervistimit  të kandidatëve dhe është bërë rangimi i tyre në bazë të poentimit, brenda panelit kanë ekzistuar tri propozime (propozimi me tre, katër dhe pesë kandidatë) për listën përfundimtare të kandidatëve që do të përcillen në Kuvendin e Kosovës për procedim të mëtejmë.

Propozimi që është miratuar me shumicë votash ka qenë propozimi që lista përfundimtare të përfshijë katër kandidatë që t’i propozohen Kuvendit të Kosovës, për çka Mrasori thotë se ka dhënë votën kundër.

Ai pretendon se lista me katër kandidatë është dërguar për në Kuvend, pavarësisht faktit që kandidatët e ranguar sipas poentimit përfundimtar me renditjen në listën ranguese 4 dhe 5 kishin qenë absolutisht me pikë të barabarta duke mos u respektuar kështu “Parimi i barazisë para ligjit”.

“Lidhur me këtë propozim, vota ime është kundër, andaj edhe parashtroj këtë mendim të ndarë. Ligji për BQK-në (neni 38 paragrafi 2) kërkon decidivisht që Kuvendit t’i përcillet lista me kandidatët të cilët konsiderohet se kanë përmbushur kriteret sipas ligjit. Që do të thotë se bazë esenciale për pasqyrimin e përmbushjes së këtyre kritereve është rezultati final i procesit të intervistimit dhe poentimi përkatës. Njëherësh ligji nuk kufizon numrin e kandidatëve të cilët i propozohen Kuvendit. Ndërlidhur me këtë, Paneli ka shqyrtuar dhe ka vendosur me një votë kundër (vota ime) që në Kuvend te dërgohet lista me katër kandidatë dhe atë pas rangimit të përgjithshëm të kandidatëve përmes procesit intervistues pra me datë 25 janar 2023”, thuhet në letrën e tij

“Mbështetur në këtë rrethanë dhe duke pasur parasysh rangimin e kandidatëve (poentimin), kam propozuar që në Kuvend të përcillet lista me pesë (5) kandidate pasi kandidatët e ranguar sipas poentimit përfundimtar më renditjen në listën ranguese 4 dhe 5 janë absolutisht me pikë të barabarta dhe arsyeja e votës sime kundër është fakti që të respektohet “Parimi i barazisë para ligjit si njëri ndër parimet fundamentale kushtetuese për të evituar pabarazinë në trajtim mbi çfarëdo bazë dhe për të penguar diskriminimin eventual”, vijon ajo.

Ai në këtë letër kërkon nga institucionet që ndërlidhen me këtë proces, të ndërmarrin veprimet e duhura që të sigurohet barazia dhe mosdiskriminimi i kandidatëve që janë pjesë e këtij procesi, duke e bërë kështu këtë proces juridikisht të sigurt dhe të parrëzueshëm në çfarëdo rrethane.

“Për të evituar cenimin e parimit në fjalë, është përgjegjësi e të gjitha institucioneve që ndërlidhen më këtë proces, të ndërmarrin veprimet e duhura që të sigurohet barazia dhe mosdiskriminimi i kandidatëve që janë pjesë e këtij procesi. Për fund, përfshirja e kandidatit/es të pestë (i/e papërfshirë në listën e të propozuarve në Kuvend) me pikë absolutisht të barabarta me kandidatin/en e katërt (i/e përfshirë në listën e të propozuarve në Kuvend), do të përbënte listën e kandidatëve të cilësuar si të emërueshëm edhe nga Paneli edhe nga projekti i mbështetur nga Ambasada Britanike, për më tepër dhe në veçanti do të evitonte cenimin e “Parimit të barazisë para ligjit” duke bërë procesin juridikisht të sigurt dhe të parrëzueshëm në çfarëdo rrethanash”, thuhet në letrën e tij.

Në listën e emrave që Banka Qendrore e Kosovës i ka dërguar në Qeveri dhe Kuvend për t’u përzgjedhur në pozitën e guvernatorit të ri të këtij institucioni janë: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.

Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, kryetar i Bordit të Bankës Qendrore është zgjedhur Bashkim Nurboja, person ky i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Bashkim Nurboja ka qenë kandidat për deputetë nga radhët e VV-së, si dhe ka qenë kandidat për kryetar të Pejës nga kjo parti në vitin 2017.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika