Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nga tri marrëveshjet e mobilitetit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, të miratuara në mbledhjen e qeverisë, dy janë në fushën e arsimit.
Në një konferencë për media, Nagavci ka bërë të ditur se këto janë, njohja e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohja e kualifikimeve profesionale, mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Nagavci ka theksuar se përmes këtyre marrëveshjeve jetësohet tregu i përbashkët rajonal.
“Përmes këtyre marrëveshjeve bëhet e mundur që këto profesione të ushtrohen lirshëm në secilin vend të BP-së. Do të krijojmë më shumë mundësi për të rinjtë dhe mobilitetin e tyre”, ka thënë Nagavci.
Ndryshe, të mërkurën, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 127-të ka miratuar tri marrëveshje që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit, në fillim të nëntorit të vitit 2022.
Qeveria ka miratuar shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Qeveria ka miratuar edhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.