Me tri vota për, 56 kundër dhe tri abstenim, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Raportin vjetor të Këshillit të Pavarur mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021.
Para se raporti të hidhej në votim, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se çdo ditë e më shumë pasojat e mëdha shihen në çdo aspekt të menaxhimit në përgjithësi, edhe në kuvend.
“VV me ardhjen e tyre në pushtet e kishte të vetmin qëllim që të nënçmonte, t’i përulte, t’i përbuzte shërbyesit civilë, që të rregullonte edhe me ligj kapjen e shtetit duke larguar politikisht, ligjërisht edhe udhëheqësit e divizioneve, departamentit. Nuk është për çudi që raportet e këtij institucioni mundohen të paraqesin në aspektin e raportimit si i dobët, se metodologjia e përdorur është joadekuate, ndërsa nuk hyjnë në përmbajtje”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se kjo shumicë po synon të shkatërrojë gjithçka që është ndërtuar deri më tani.
“Mazhoranca po synon që të shkatërrojë gjithçka që është ndërtuar. Kësaj mazhorancë nuk po i intereson mbrojtja e shërbyesve civilë apo institucionet e pavarura, por po u intereson që të shkatërrojë gjithçka që është ndërtuar që 20 vjet dhe kjo për ne është e papranueshme”, ka thënë ai.