Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se kritikat e opozitës dhe të tjerëve për mënyrën e reagimit pas tërmetit në Turqi janë “provokime”.
Erdogan i është kundërpërgjigjur kritikave dhe zemërimit në rritje për mënyrën dhe reagimin e shtetit ndaj pasojave të tërmetit në Turqi, i cili shkaktoi mijëra të vdekur.
Ai tha se “nuk është e mundur të përgatitemi për një fatkeqësi kaq të madhe”.
Rexhep Tajip Erdogan u tha gazetarëve se numri zyrtar i të vdekurve ishte rritur në 9,057 gjatë një vizite në Hatay, një nga rajonet më të goditura nga tërmeti.
Ai i përshkroi si “provokatorë” njerëzit që thoshin se nuk i kishin parë fare forcat e sigurisë në disa zona.
Sot, gjatë një ndalese tjetër në turneun e tij në zonat e fatkeqësisë, ai pranoi disa probleme fillestare, por tha se situata ishte tani “nën kontroll”.
Kritikat nga personalitete të opozitës dhe në terren janë në rritje. Disa pretendojnë se përpjekjet emergjente kanë qenë shumë të ngadalta dhe se nuk është bërë mjaftueshëm për të përgatitur rajonin e rrezikuar nga tërmeti gjatë tetë viteve të tij në detyrë.