Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pas takimit me zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar e ka dërguar kërkesën për avionë luftarakë në Francë dhe Gjermani.
Zelensky është takuar me liderët e dy vendeve në Paris të mërkurën në mbrëmje, ku u zotuan për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, shkruan BBC.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kanë ritheksuar besimin e tyre se Rusia nuk duhet të fitojë luftën.
Ndërkaq Zelensky ka potencuar se do të bëjë më shumë kërkesa për avionë, kur të takohet me krerët e Bashkimit Evropian në Bruksel të enjten.
Ai beson se avionët luftarakë dhe raketat me rreze të gjatë veprimi janë të rëndësishëm përveç tankeve “Leopard 2” që vendet perëndimore janë zotuar së fundmi të furnizojnë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi të mërkurën në mbrëmje me Macron dhe Scholz, Zelensky ka thënë se Franca dhe Gjermania kishin potencial për të qenë “ndryshues të lojës” në betejën kundër Rusisë, duke i ofruar Ukrainës tanke luftarake, avionë luftarakë modernë dhe raketa me rreze të gjatë.
Ai ka theksuar se furnizimi i avionëve ishte diskutuar dhe paralajmëroi se kishte “shumë pak kohë” për të siguruar armatimin.
Macron ka thënë se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Francës dhe se vendi ishte “i vendosur të ndihmojë Ukrainën për fitore dhe rivendosjen e të drejtave të saj legjitime”.
Scholz ka thënë gjithashtu: “Pozicioni është i pandryshuar: Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë”.
Vizita e Zelensky të enjten në Bruksel vjen pasi ai iu drejtua Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të mërkurën.
Atje, ai i kërkoi gjithashtu Londrës të furnizonte me avionë luftarakë për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës për luftë.