Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur në takim të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Në këtë takim Begaj ka mirëpritur vullnetin e Kosovës për të pranuar propozimin evropian.
“Përshëndeta rolin e Lord Peach në promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe mbështetjen për adresimin e sfidave të lidhura me sigurinë, veçanërisht atë kibernetike. Gjatë takimit, vlerësova vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizova domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve”, ka thënë Begaj.
Begaj ka thënë se është e një rëndësie të madhe të ruhet uniteti, solidariteti dhe kohezioni mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.