Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas miratimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se që është një moment i rëndësishëm për drejtësinë sikurse edhe për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“E konsideroj si moment të rëndësishëm për drejtësinë sikurse edhe për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse siç jeni në dijeni në Kosovë ka pasur shumë zyrtar të cilët janë pasuruar përmes politikës”, ka thënë Haxhiu.
Ajo në një intervistë për emisionin FIVE të RTV Dukagjinit, ka deklaruar se ky projektligj ka për qëllim që të verifikojë së pari pasurinë e pajustifikuar të zyrtarëve në Kosovë, dhe se në momentin kur ajo nuk mund të justifikohet konfiskohet nga Gjykata Themelore.
Ajo ka falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, për mbështetjen e tyre për këtë projektligj sikurse edhe të gjithë ata ekspert dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që në Grupin Punues të Komisionit për Legjislacion sipas saj, kanë ndihmuar më profesionalizimin e tyre që të adresojnë të gjitha rekomandimet e Komisionit te Venecias.
Haxhiu ka shtuar se janë kujdesur që të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen që askush në të ardhmen të mos e përdorë këtë institucion si hakmarrje ndaj individëve.
“Kosova për herë të parë po e adreson çështjen e konfiskimit civil, prandaj jemi siguruar që të gjitha rekomandimet t’i adresojmë në mënyrë që askush në të ardhmen sikurse as Qeveria jonë, të mos e përdor këtë institucion si hakmarrje ndaj individëve”, është shprehur Haxhiu.
Po ashtu, sipas saj, secili person që e ka të krijuar pasurinë mbi baza të ligjshme mbi baza të punë së ndershme nuk ka pse të frikësohet, pra ajo ka deklaruar se ky ligj do të jetë verifikim për pasurinë që nuk mund të justifikohet.
Ministrja Haxhiu ka treguar se kjo Byro do të funksionalizohet këtë vit, dhe se zgjedhja e drejtorit do të bëhet këtë vit, kur edhe do të nis zbatimi i këtij institucioni.
Ndërkaq, këtë ligj nga opozita nuk e ka mbështetur PDK-ja, për këtë ajo ka thënë se nëse partia në fjalë dëshiron ta zvarrisë jetësimin e këtij institucioni mund ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë e kuptoj të drejtën e tyre kushtetuese mirëpo nuk mund ta mirëkuptoj duke pasur parasysh qëllimin që ka ligji, dhe duke pasur parasysh që ne kemi adresuar secilin rekomandim të Komisionit të Venecias”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, nuk ka arsyeje për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, dhe nuk ka arsyeje askush të frikësohet vetëm ata që kanë krijuar pasuri mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës dhe mbi pasurinë publike.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje si opozitë së pari e ka proceduar në Kuvend të Kosovës, Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por asokohe nuk i kanë pasur votat për ta votuar të njëjtin.