Sirenat e sulmit ajror janë në fuqi në të gjithë Ukrainën të premten në mëngjes, pasi zyrtarët paralajmëruan për një sulm raketor rus.
Shpërthime janë raportuar tashmë në qytetin Zaporizhzhia dhe në rajonin e Kharkiv, dhe kërcënimi i sulmeve me raketa është raportuar diku tjetër në vend.
Maksym Marchenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Odesa-s në jug të Ukrainës, tha se ka “aviacion armik në qiell” dhe se “bartësit e raketave të tipit Kalibr janë në det”.
Forcat ruse, gjithashtu, të premten e kanë goditur qytetin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhia dhe rajonin verilindor Kharkiv, me dhjetëra raketa gjatë natës, më saktësisht deri në 35 raketa janë gjuajtur.
Sulme të tilla janë paralajmëruar edhe të enjten në mbrëmje , megjithatë nuk thuhet se ka pasur viktima, shkruan CNN.
Gjithashtu, të premten, është njoftuar se ka ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë vendin, pasi janë goditur disa rajone perëndimore, lindore dhe jugore të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.