Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar drejtësi për aktivistët Arben Xheladini dhe Mon Balaj, në 16-vjetorin e vrasjes së tyre nga policia rumune e UNMIK-ut.
Konjufca i ka quajtur dëshmorë Xheladinin e Balajn, të cilët sipas tij “ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës”.
Ai ka thënë se vendosja e drejtësisë mbetet kërkesë parësore.
“Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007, mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte”, ka thënë ai.
Kryetari i parlamentit e ka përmendur edhe ikjen nga Kosova të autorëve të krimit.
“Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit”, ka thënë ai.
16 vjet më parë, më 10 shkurt 2007, nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, ishte mbajtur protesta kundër Planit të Ahtisaarit, ndërsa policia e UNMIK-ut, konkretisht ata të regjimentit rumun e ukrainas, kishin shtënë ndaj protestuesve me plumba gome, duke lënë të vdekur 2 protestues, Mon Balajn e Arben Xheladinin.
Po ashtu, edhe 80 të tjerë ishin plagosur në atë protestë.