Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, këtë të premte e ka vizituar Fakultetin e Mjekësisë, ku ka zhvilluar një takim me disa studentë të këtij fakulteti.
Ai ka thënë se ka diskutuar me ata për kushtet që kanë dhe çfarë ata presin për të ardhmen.
Abdixhiku ka theksuar se Kosova duhet ta trajtojë me urgjencë ikjen e stafit shëndetësor nga Kosova, pasi ky është një problem kombëtar.
“Këtë mëngjes, takova studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Secili me përkushtim të dalluar në rrugën profesionale që ndjekin. Folëm për kushtet e tyre sot e pritjet e tyre për nesër. Ikja e stafit shëndetësor nga Kosova është bërë problem kombëtar i yni. Këtë problem Kosova duhet ta trajtojë me urgjencë”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërsa, ka theksuar se pagat, sigurimi shëndetësor e investimet kapitale mbesin zgjidhje e pazëvendësueshme.
“Paga më të larta, sigurime shëndetësore sa më parë, e investime kapitale në nivel dyfish më të lartë, mbesin zgjidhje të pazëvendësueshme sot”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera, Abdixhiku është shprehur se këta studentë të Mjekësisë meritojnë një të ardhme më të mirë, dhe Kosova e meriton një gjeneratë të tillë në ardhje në shëndetësi.