Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të cilit ia ka konfirmuar gatishmërinë për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe ka shprehur pajtimin për nevojën e intensifikimit të procesit të dialogut.
Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog, sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO, njofton Zyra e kryeministrit.
Me Chollet, Kurti ka diskutuar edhe për propozimin evropian të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa, u theksua edhe rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare, me qëllim që të ecët përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në kuadër të dialogut në Bruksel.