Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri mund të dyfishohet, kështu ka thënë një shef i ndihmës emergjente të OKB-së.
Më shumë se 25 mijë njerëz dihet se kanë vdekur deri më tani pas tërmetit me magnitudë 7.8, i cili goditi të hënën e 6 shkurtit Turqinë dhe Sirinë.
Duke folur për Sky News, në qytetin e goditur nga tërmeti në Adana në Turqi, nënsekretari i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinator i Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths, ka thënë se ai priste që të konfirmoheshin dhjetëra mijëra vdekje të tjera.
Griffiths, koordinatori i ndihmës emergjente të OKB-së mendon se është e vështirë të vlerësohet saktësisht, pasi ata duhet të futen nën rrënoja, por ka deklaruar se është i sigurt se do të dyfishohet ose më shumë.
“Është thellësisht tronditëse… ideja që këto rrënoja të shumta ende mbajnë njerëz, disa prej tyre ende gjallë. Ne nuk kemi filluar vërtet të numërojmë numrin e të vdekurve”, ka shtuar ai.
Me zbehjen e shpresave për ata që janë bllokuar nën rrënojat në Turqi dhe Siri, Griffiths ka thënë se përpjekjet e shpëtimit ishin tani në fazat e tyre përfundimtare.
“Ata thonë se 72 orë është periudha e artë (për shpëtim)”, ka thënë ai.
“Por, vetëm tani ata kanë nxjerrë dikë të gjallë një orë më parë. Duhet të jetë tepër e vështirë të vendosësh se kur të ndalet kjo fazë e shpëtimit dhe të kalohet në fazën tjetër, e cila gjithashtu do të ketë problemet e saj”, ka shtuar ai.
Udhëheqësi i grupit vullnetar i ndihmës emergjente ka kritikuar reagimin e OKB-së në Siri, duke thënë se zonat e kontrolluara nga rebelët nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga organizata që nga tërmeti.
OKB-ja nuk është e autorizuar të dërgojë ndihma në Siri përmes pikave të tjera kufitare sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë, siç raportohet, këshilli ka vendosur të diskutojë nëse do ta lejojë atë të ofrojë ndihmë për zonat e kontrolluara nga rebelët në Siri, përmes më shumë se një kalimi kufitar turk, me një vendim që pritet javën e ardhshme.