Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti natën e së premtes i erdhi një telefonat shumë e rëndësishme.
Ai foli me Këshilltarin Special të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet i cili tregoi edhe qëndrimin e Kurtit për planin franko-gjerman.
“Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka thënë Choellet.
Të shtunën në mëngjes, detaje rreth këtij bashkëbisedimi dhanë edhe Qeveria e Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e kryeministrit për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO’, thuhet njoftimin e Qeverisë.
Në këtë njoftim të qeverisë edhe pse jo direkt është përmendur pranimi i planit evropian për dialogun, për çka profesori universitar Faton Ismajli thotë se ky plan tashmë është punë e kryer.
“duket se zoti Kurti dhe komplet Qeveria nuk po ngutën edhe në pranim më eksplicit të planit franko-gjerman me idenë që mund të nxjerrin edhe diçka nga ky plan por duke e parë nga ana e ndërmjetësuesve duket se çështja është komplet e kryer”, ka thënë Ismajli.
E nga partia opozitare, AAK po thonë se SHBA-ja kurrë nuk ka qenë më e angazhuar për të gjetur zgjidhje për Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë qenë më të angazhuara në mbështetje të Kosovës, në mbështetje të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi me njohje, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë Kosova të merr një drejtim të sigurt dhe të merr një drejtim drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit dhe forcimit të shtetit. Vendosmëria e tyre është treguar në secilin takim që ka mbajtur z. Haradinaj”, ka thënë Besnik Tahiri.
Planin Franko-Gjerman në fillim e kishte kundërshtuar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq por me takimin e fundit që pati me zyrtar të Bashkimit Evropian ai tha se e pranon atë plan.