Seancat gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë shtyhen për shkak të temperaturave të ulëta

Mungesa e ngrohjes në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, ka bërë që disa seanca gjyqësore të shtyhen. Për këtë, Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore ka paralajmëruar greva dhe protesta sindikale nëse nuk bëhet një zgjidhje

Pallati i Drejtësisë në Kosovë

Temperaturat e ulëta që po mbizotërojnë dhe mosfunksionimi i ngrohjes në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë ka bërë që gjatë kësaj jave disa seanca gjyqësore të shtyhen.

E njëjta situatë mund të përsëritet edhe në vazhdim pasi funksionalizimi i ngrohjes në objekt, selinë e shumicës së gjykatave të Republikës së Kosovës, nuk duket i afërt.

Para pak ditësh është shtyrë edhe seanca në çështjen e njohur si “53 milionëshi”, ku është i përfshirë ish-ministri Pal Lekaj, pikërisht për shkak të ftohtit në sallën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Avokati i përfshirë në këtë rast, Musa Damati e quan skandaloz mungesën e ngrohjes në objektin, ku qytetarët presin të marrin drejtësi.

Sipas tij, nuk është ndërprerë vetëm seanca e “53 milionëshit” ku ai mbron Lekajn, por edhe seanca të tjera.

“Skandaloze një objekt që i ka kushtuar buxhetit të Kosovës hiç më pak se 30 milionë euro, ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë, ka probleme bazike, elementare në funksionimin e ngrohjes dhe seancat e rëndësishme si ajo e aferës së autostradës ‘Arbën Xhaferi’ e cila është dashur të shtyhet për shkak të temperaturave të ulëta më sallën e gjykimit, por edhe raste të tjera më të vërtetë kjo është një situatë që shpërfaqë joseriozitetin dhe shpërfaqë gjendjen skandaloze së infrastrukturës së Pallatit të Drejtësisë dhe mekanizmave që merren me sundimin e ligjit”, ka thënë ai për KP.

Nga Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë thonë se mungesa e ngrohjes në Pallatin e Drejtësisë po shkakton telashe në mbarëvajtjen e punës.

Kryetari i kësaj shoqate sindikale, Naim Rrustemi ka thënë se si pasojë e të ftohtit po detyrohen që të ngrohen me nxemje vetanake.

Gjithashtu, siç ka theksuar ai, sidomos në orët e para të mëngjesit kur nis puna, kanë telashe më të mëdha.

“Ne po e kemi vërtetë problem të punojmë, nëpër zyra disi po mund t’ia arrijmë sepse po marrin nxemje të vogla alternative secili për vete, por çka me thënë për salla të gjykimit dhe atje ka shumë palë në procedurë dhe ato vijnë në orët e hershme të mëngjesit dhe në atë temperaturë minus me të vërtet është shumë problem për t’i mbajtur ato seanca”, është shprehur Rrustemi.

Sidoqoftë, sipas tij, ata po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që punën ta kryejnë ashtu siç duhet edhe pse ai ka thënë se disa seanca këto ditë veç janë shtyrë për shkak të kushteve jo të mira të punës.

Kryesindikalisti Rrustemi, gjithashtu ka theksuar se vazhdimisht kanë parashtruar kërkesa që kjo gjendje të rregullohet.

Ai ka shtuar se nga përgjigjet që kanë marrë thuhet se brenda këtyre dy muajve edhe çështja e ngrohjes në pallat do të rregullohet.

“Si sindikatë në vazhdimësi kurrë nuk jemi ndal edhe hierarkisë tonë, por sekretariatit dhe KGJK-së, arsyetimi karshi neve është se ne i kemi proceduar të gjitha shqetësimet dhe kërkesat tona në Ministri të Punëve të Brendshme e cila është kompetente për mbajtjen e këtij objekti dhe fjalët vijnë se ndoshta këta dy muaj do të bëhet zgjidhja…Sistemi i ventilimit paska defekt të madh dhe po mungojnë disa pajisje sipas fjalëve se brenda këtyre muajve do të bëhet një zgjidhje”, ka thënë ai.

Protestat e grevat nuk është se nuk i kanë diskutuar si shoqatë, madje kryetari Rrustemi ka paralajmëruar veprime të tilla sindikale nëse nuk u bëhet një zgjidhje.

Kujtojmë që, edhe gjatë muajve të verës objekti i Pallatit të Drejtësisë kishte pasur telashe me mungesë të oksigjenit dhe klimatizimit. Dhe si pasojë e kësaj situate të krijuar, kishte nisur hapja e dritareve në këtë objekt që nuk kishte qenë e lejuar më parë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika