Gjatë kësaj të diele ka ndodhur një vjedhje në zyrat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj.
Rastin për portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka informuar se nga zyrat e “Bifurkacionit” është vjedhur DWR i kamerave të sigurisë.
“Sot, rreth ore 06:14, policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Bifurkacioni’ në Ferizaj, është një rast i vjedhjes”, ka thënë Veseli.
Veseli ka shtuar se policia e rendit e më pas policët hetues të stacionit në Ferizaj, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin.
“Nga hetimet e para është mësuar se janë thyer dyert e zyreve dhe janë demoluar zyret dhe nga aty është vjedhur DWR e kamerave të sigurisë.”, ka thënë tutje Veseli.
Mes tjerash, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt ka theksuar se policët hetues janë duke punuar intenisvisht, duke grumbulluar informacione që ky rast të zbardhet sa më shpejt.