Të hënën e 13 shkurtit, Kuvendi i Kosovës me iniciativën e deputetëve të Kosovës do të mbajë debat parlamentar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Duke filluar në ora 12:00, në këtë seancë do të diskutohet për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe zhvillimeve të fundit sa i përket propozimit nga BE-ja.
“Kuvendi i Kosovës mban debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.
Kjo seancë është thirrur nga deputetët e PDK-së e LDK-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, gjatë seancës së kaluar të Kuvendit, ka thënë se si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojnë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi.
Po ashtu, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që deputetët dhe të tjerët të jenë të informuar në lidhje me propozimin evropian dhe se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti.