Ardian Arifaj, analist ka thënë se nuk kanë vërejtur nëse njëra nga partitë në pushtet apo në opozitë janë shprehur kundër dialogut ose propozimit evropian, duke shtuar se kanë të drejtë të jenë të interesuar të dijnë më shumë rreth përmbajtjes së dokumentit të planit franko-gjerman.
“Kemi të drejtë të jemi të shqetësuar si qytetar të Republikës së Kosovës. Sot jemi në një pikë kur më nuk flasim për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, as për njohje formale nga Serbia”, ka thënë Arifaj.
“Mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka çështje teknike, pjesa veriore e Kosovës nuk është çështje e sundimit të ligjit, është çështje puro-politike që do të zgjidjet vetëm me një marrëveshje finale mes dy vendeve. Vetëm atëherë Serbia do të largohet nga pjesa veriore e Kosovës”, ka thënë Arifaj në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini.
Analisti Arifaj ka shtuar se hapat e ndërmarrë nga qeveria në gjysmën e dytë të vitit të kaluar kanë ngritur tensione të cilat kanë kthyer në tavolinën e bisedimeve disa tema që ishin më parë, dhe i kanë dhënë më shumë prioritet këtyre sesa marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Arifaj ka theksuar se në vend që të merremi me tekstin e marrëvceshjes finale mes dy vendeve, duhet të merremi me çështje si Asociacioni dhe ngjashëm.
“Janë dhe disa hapa të pamenduar mirë që e kanë sjellë dialogun në këtë pikë”, ka thënë ai duke theksuar se partnerët kryesor të Kosovës, po merr hapa që t’ia tërheqin vërejtjen se nëse ndodh që nuk jeni bashkëpunues “të pret tërheqja e përkrahjes”, ka shtuar ai.
“Asociacioni do të ishte më i rëndësishëm nëse do të ishte pjesë e pakos së përgjithshme dhe të filloj të implementohej kur do implementoheshin të gjitha pikat dhe kur do të arrihej marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar tutje Arifaj duke deklaruar se është e rëndësishme të diskutohet se si ka ardhur dialogu deri në këtë pikë.
Arifaj ka theksuar se nuk është e dobishme të shpenzohet kohë me fajësimin e opozitës, por sipas tij duhet të përqendrohet se ku qëndron Kosova në lidhje me procesin e dialogut. Tutje ai ka potencuar se Qeveria ka fuqi të ndryshojë dhe t’i lëviz gjërat, por sipas tij i nevojitet guxim politik.
Arifaj ka deklaruar se partnerët ndërkombëtar janë të interesuar për një marrëveshje mes dy vendeve që sjell më shumë stabilitet.
Analisti Arifaj ka theksuar se është e nevojshme të kuptohet se ekziston mbështetja amerikane dhe Kosova duhet të shfrytëzoj këtë monument të krijuar nga ShBA-ja.
Ndërsa për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, Arifaj ka thënë se nuk ka garancë dhe sipas tij, askush nuk mund të ia imponoj shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën të marrin një vendim të tillë. Sipas tij, ato janë shtete sovrane dhe i marrin vendimet në bazë të interesave që i kanë.