Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se procesi do të jetë transparent e profesional dhe se “nuk do të përsëriten situatat e ndërhyrjes në proces e nuk do të përdoren metodat e përzgjedhjes së personave mbi baza familjare, partiake apo biznesore”.
“Më në fund, pas gati 3 vitesh, përmbyllet procesi gjyqësor për Provimin e Noterisë çka i hapë rrugë shpalljes së konkursit për noterë. Dua të njoftoj qytetarët se brenda një kohe të shkurtër do të themelojmë Komisionin përgjegjës dhe do të shpallim konkursin për noterë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Të hënën Gjykata e Apelit ka njoftuar se i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B. dhe G.G., në procedurën e konfliktit administrativ ndaj Ministrisë së Drejtësisë.
“Gjykata e Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin AA.nr.744/2022, të datës 9 shkurt 2023, i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B., G.G., ndërsa i ka vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.529/2020, të datës 24 dhe 28 qershor 2022, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Sipas njoftimit objekt shqyrtimi në këtë procedurë ka qenë shqyrtimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e paditësve të lartpërmendur për dhënien e aktgjykimit plotësues.
Përmes këtij propozimi, paditësit kanë kërkuar që të detyrohet e paditura, të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë.
“Përndryshe duhet sqaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, si gjykatë e shkallës së parë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Q.S., etj. dhe e kishte anuluar vendimin e të paditurës – Ministria e Drejtësisë, nr.15/2020, nr. prot. 01-173, të datës 24 shkurt 2020, si të kundërligjshëm, njëherit duke vërtetuar se procesi i provimit për noterinë i shpallur me datën 19 prill 2019, nga e paditura Ministria e Drejtësisë, është i ligjshëm dhe i drejtë”, thuhet në njoftimin e Apelit.