ShSKUK-ja mohon mungesën e barnave, penjve kirurgjikë e materialeve higjienike

Muajve të fundit është raportuar për mungesë të penjve kirurgjikë, barnave e materialeve higjienike në QKUK. Madje, edhe qytetarët aty kanë treguar se barnat detyrohet t’i blejnë vetë. Megjithatë, sipas U. D së shefit të sektorit me furnizim me barna dhe material, Shqipe Fetahu, nuk ka mungesa të tilla pasi kontratat për furnizim janë valide

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK)

Gjatë dy muajve të fundit, qytetarët janë ankuar për mungesën e barnave, të materialit higjienik dhe të penjve kirurgjikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por që këta të fundit kanë mohuar të ketë mungesa të tilla.

Portali Dukagjini ka adresuar disa pyetje në ShSKUK, për të cilat është përgjigjur ushtruesja e detyrës e shefit të sektorit me furnizim me barna dhe material medicinal, Shqipe Fetahu.

Fetahu ka sqaruar se në QKUK momentalisht furnizimi me penj kirurgjikë është i qëndrueshëm, pasi QKUK-ja ka kontrata valide.

“Aktualisht kemi një furnizim të qëndrueshëm me penj kirurgjikë, sepse tani kemi kontrata valide”, ka thënë Fetahu.

E pyetur për mënyrën e furnizimit me barna dhe material shpenzues në ShSKUK, ajo ka shpjeguar se rregullohet me kontratë tremujore, ndërkaq, sipas saj problem për furnizim ka tek ato produkte që janë me sasi më të vogla dhe që QKUK-ja nuk ka ofertues në procedura tenderuese.

“SHSKUK furnizimin me barna dhe material shpenzues e ka te rregulluar ne quartale (tremujore)”

“Vështirësitë e furnizimit ekzistojnë për ato produkte që planifikimi është në sasi të vogël dhe nuk ka ofertues në procedurat tenderuese ndërsa furnizohemi lehtë kur kemi në dispozicion kontrata valide”, ka vijuar më tej ajo.

Këto ditë kallxo.com kishte raportuar për mungesën e materialit higjienik në QKUK, por që nga këta të fundit thuhet se nuk ka pasur probleme të tilla.

“Sa i përket materiali higjienik është pjesë e shërbimeve teknike dhe deri më tani nuk kemi pasur probleme”, ka shtuar Fetahu.

Ndër të tjera, ajo u shpreh se buxheti i ndarë për sektorin e shëndetësisë, këtë vit është i kënaqshëm, gjë e cila sipas Fetahut edhe ka shënuar progres në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Por, që ajo thotë se nevojat në ShSKUK janë në rritje.

“Buxheti i ndarë për shëndetësinë në krahasim me vitet paraprake është i kënaqshëm gjë që tregon se ka progres në drejtim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore edhe pse nevojat në kuadër të SHSKUK -së janë ne rritje”, ka thënë Fetahu në një përgjigje për Portalin Dukagjini.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe Fitim Havolli, që ishte kryetar i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve shëndetësor, i cili ka thënë se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të angazhohen dhe të kenë prioritet këtë dikaster, pasi siç thotë ai shërbimet shëndetësore në sektorin publik janë të rrezikuara.

Fitim Havolli, ish-kryetar i Sindikatës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve shëndetësor

“Qeveria dhe MSh jo vetëm të angazhohet, por duhet t’a ketë prioritet shumë serioz në 5 vitet e ardhshme shëndetësinë përndryshe ashtu siç kam dhënë disa herë prapë po e përsëris, shërbimet shëndetësore në sektorin publik po rrezikohen në një të ardhme jo të largët”, ka thënë Havolli për Portalin Dukagjini.

Ai gjendjen në shëndetësi e ka quajtur “dështim të vullnetit politik i dalur nga populli”.

Ndërsa, ka theksuar se problemet më të mëdha janë pagat, sigurimi shëndetësor, ikja e profesionistëve, por theks i ka dhënë edhe një teme tjetër që ka të bëjë me mungesën e komuniteteve profesionale në Shëndetësi.

“Nuk ke si ta vlerësosh përveç ta quash si dështim i madh i vullnetit politik i dalur nga populli sa i përket shëndetësisë, duke filluar nga pagat, sigurimi shëndetësor, kushtet e punës ndalja e ikjes të profesionistëve shëndetësor dhe po ashtu mos ofrimi e shërbimeve cilësore duke pasur mungesa të mëdha të komuniteteve të ndryshme profesionale ne shëndetësi”, ka vijuar Havolli.

Për mungesat në QKUK, ka thënë se ndërhyrjet kirurgjike janë sfiduese për kirurgun, e veçanërisht kur ka mungesë të materialeve të ndryshme.

Për Portalin Dukagjini një përgjigje është marrë edhe nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), të cilët, gjendjen në sektorin e shëndetësisë e shohin që është nën nivelin e dëshiruar.

“Gjendja në sektorin e shëndetësisë vazhdon të mbetet nën nivelin e dëshiruar. Kjo për shkak të investimeve të munguara në këtë sektor për vite të tëra”, kanë thënë nga PRAK.

Këta të fundit për mungesën e materialeve në sektorin e Shëndetësisë, thonë se vjen si rezultat i  mungesës së llogaridhënies nga ana e institucioneve përgjegjëse.

“Mos funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore e ka rritë edhe më shumë problemin, pasi që shumë qytetarë nuk arrijnë t’i përballojnë shërbimet shëndetësore dhe institucionet nuk janë mjaftueshëm të përgjegjshme dhe llogaridhënëse për punën që ato bëjnë. Mungesa e llogaridhënies prodhon edhe mungesat e barnave dhe materialit shpenzues nëpër këtë institucione”, kanë theksuar nga PRAK.

Dy pacientë nga komuna e Pejës, në kushte anonimiteti i kanë treguar Portalit Dukagjini, se në ShsKUK, mungesat janë të mëdha, madje sipas tyre  ka mungesë edhe të gjërave bazike. Ata kanë theksuar se ka pasur mungesë të barnave, albuminave e letrave higjienike, të cilat këta të fundit janë detyruar t’i blejnë.

Mungesën e barnave, ShSKUK po e mohon vazhdimisht, gjë të cilën e bëri para dy javësh me publikimin e një raporti ku thuhet se ka pasur furnizim me penj kirurgjikë, dhe me barna.

Por, që ka mungesë të barnave në QKUK dhe që pacientët detyrohen edhe barnat më të shtrenjtë të kancerit t’i blejnë vetë është parë në fundvitin e kaluar nga iniciativa e realizuar nga Radio Dukagjini.

Për muaj rresht, emisioni “Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini  dhe barnatorja që gjendet në hyrje të QKUK-së, MN Farm, kanë organizuar “Iniciativën “Barnatorja”, duke iu shërbyer barna falas për një minutazhë të caktuar qytetarëve, të cilët udhëzimin me barna është dashur ta marrin në QKUK.

Një iniciativë e tillë ka vënë në pah edhe kushtet e vështira të QKUK-së dhe mosfurnizimin me barnat edhe më të thjeshtë. Ndërsa, qytetarët janë parë të mërzitur për shkak se ka pasur raste kur terapia arrinte shifrën deri në 100 euro, të tilla ishin rastet që po trajtoheshin me kancer.

Për mungesat e raportuara së fundi, Portali Dukagjini e ka pyetur edhe Ministrisë e Shëndetësisë, por që nga ky institucion kanë refuzuar të përgjigjen.

Ndryshe, nga 198 milionë euro sa ishte në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë gjatë këtij viti është 296 milionë euro, 60 milionë prej tyre janë ndarë vetëm për mbulimin e Listës së barnave esenciale.

ShSKUK vazhdon të thotë se nuk ka mungesë të materialeve në QKUK, në anën tjetër qytetarët ankohen për mungesa dhe thonë që barnat detyrohen të blejnë vetë, ndërsa shihet se buxheti për këtë vit ka shënuar progres.

Aktualisht, ministër i Shëndetësisë është Arben Vitia, ndaj të cilit ka shumë kritika për mënyrën qeverisëse. Madje, e ftuar në emisionin Five në RTV Dukagjini ditën e djeshme, Albana Bytyqi nga AAK e ka quajtur atë “ministër më pasiv që Qeveria e ka”.

Bytyqi ka theksuar mos investimin për barna e produkte esenciale në QKUK, por theks të veçantë i ka dhënë edhe mos krijimit të fondit për ndihma në rastet kur qytetarët shkojnë për shërim jashtë vendit.

Bytyqi në dy-vjetorin e Qeverisë Kurti: Ka ardhur me propaganda dhe mashtrime në pushtet

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika