Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Agron Berisha, Nexhmi Hyseni, Nasim Kastrati, Fatmir Tulla, Agim Nreci, Ramadan Kosumi, Imer Luzha dhe Muhamet Leci, për akuzën për mashtrim me subvencione.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të martën, nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit u liruan nga akuza sepse nuk është provuar se kanë kryer veprën penale, për të cilën, janë ngarkuar, ndërsa traktori i sekuestruar përkohësisht i kthehet të akuzuarit Berisha.
Gjykatësi Kamberi ka thënë se shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës, kurse kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh pas pranimit të të njëjtit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Berishës, Nexhmi Hysenit, Nasim Kastratit, Fatmir Tullës, Agim Nrecit, Ramadan Kosumit, Imer Luzhës dhe Muhamet Lecit, të cilët i akuzonte për mashtrim me subvencione.