Lufta ndaj krimit të organizuar në veri të Kosovës ka ndihmuar në ndaljen e rritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike.
Kështu ka thënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke shtuar se “lufta ndaj krimit të organizuar shpaguhet në shumë mënyra”.
Me anë të një postimi në Twitter, Rizvanolli ka shpërndarë postimin e ministrit të Brendshëm për shkatërrimin e tre laboratorëve të drogës në veri.
“Për shkak të operacioneve kundër kultivimit të drogës dhe mihjes së kriptovalutave, rritja jonormale e konsumit të energjisë që është parë viteve të fundit në katër komunat në veri të Kosovës, është ndalur”, shkroi Rizvanolli.
The fight against organised crime pays off in multiple ways!
Due to such operations against illegal drug farming & cryptomining, abnormal growth📈of ⚡️ consumption seen in recent years in the 4 municipalities in the north of 🇽🇰 has been halted! @XSvecla & @PoliciaEKosoves👏 https://t.co/vvhdDZSnXt pic.twitter.com/OQXM9hEY2w— Artane Rizvanolli (@Artane_R) February 14, 2023
Për këtë, ajo ka publikuar një grafikon, në të cilin, në vitin 2022 ka 3 për qind rënie të konsumit të energjisë elektrike në këto komuna.
Pas shkatërrimit të tre laboratorëve të drogës në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia, nuk do të ndalen para asgjëje, duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë.
Kjo, sipas kreut të Qeverisë, për t’i mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme, megjithatë siç thotë Kurti “ata do të dështojnë”.
“Policia e Kosovës ka shkatërruar dje 3 laboratorë ilegalë të drogës në veri të Kosovës, një fitore e qartë për sundimin e ligjit. Bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë – për të mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme. Ata do të dështojnë”, shkroi Kurti në Twitter.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të dielën e 12 shkurtit, Policia e Kosovës ka shkatërruar edhe laboratorin e tretë të drogës.
Sipas tij, “vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro”.
“Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë, Vuciq dhe pas tij ministri i mbrojtjes, Vuçeviq dhe Petkoviq. Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut, me të cilat, më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve”.
Ministri i këtij dikasteri ka thënë se asnjë qytetar në botë nuk mund të mbrohet nga narkodillerat dhe paramilitarët.
“Kjo kohë ka marrë fund. E drejta do të triumfojë edhe më herët sesa që e kanë paramenduar”, shtoi ai.