Presidentja e Kosovës, Vjosa Osman, ka reaguar mbi angazhimin e FSK-së në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmetit.
“Trimëria dhe vendosmëria e palëkundur e ushtarëve tanë për të shpëtuar jetë nga rrënojat e tërmeteve shkatërruese në Turqi, ngjall shpresë në këtë tragjedi që ka shkaktuar trishtim në çdo cep të botës”, ka shkruar presidentja Osmani.
Osmani ka shtuar se heroizmi i treguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës “na kujton dhembshurinë dhe solidaritetin e popullit tonë për të qëndruar krah për krah me miqtë tanë në kohë sfiduese”.
“Faleminderit FSK që në tërë këtë dhimbje e trishtim, na jepni shkëndija shprese. Jemi krenarë me ju!”, ka theksuar tutje presidentja Osmani.