Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu “dezinformon dhe manipulon publikisht në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve”.
Gruda ka thënë se në postimin e saj, ministrja Haxhiu vendimin e gjykatës e paraqet si fitore të saj.
“Ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër: Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve, duke vërtetuar se procesi i dhënies së provimit të noterisë kishte qenë i ligjshëm dhe i drejtë, dhe se vendimi i Ministres Haxhiu për anulimin e këtij procesi kishte qenë i paligjshëm”, ka shkruar Gruda.
“Krejt çfarë Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë vendim që ministrja e paraqet si fitore të saj, është refuzimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e disa paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit, paditësit kanë kërkuar që të detyrohet ministrja të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë, por duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kishte rrezuar vendimin e ministres Haxhiu”, ka theksuar tutje Gruda.
“Pra, Gjykata e Apelit ka vërtetuar dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, përkatësisht ka rikonfirmuar se procesi i dhënies se provimit të noterisë ishte i ligjshëm dhe i drejtë”.
Mes tjerash, Gruda i ka bërë thirrje ministres Haxhiu të mos tentojë të manipulojë me vendimet e gjykatës, “t’i zbatojë ato dhe të zhbllokojë procesin e emërimit të noterëve të rinj, duke respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësor”.