Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, këtë të martë ka marrë pjesë në takimin e nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në
Bruksel, ku morën pjesë 54 shtete.
Në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e ndihmës për Ukrainës nga secili shtet.
Ministri Mehaj, i cili e përfaqësoi Kosovën tha se Qeveria e Kosovës është e gatshëm të ofrojë strehim për 5 mijë refugjatë ukrainas.
“…edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme”, ka thënë ai.
Mehaj tutje tha se Kosova vetë është përballur me agresion të ngjashëm me atë që po përballet Ukraina.
“Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit”, ka thënë ai.
Ministri Mehaj theksoi se Kosova do të ofrojë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve shtetërore.