Këtë të mërkurë të 15 shkurtit bëhet 53 vjet prej kur është themeluar Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ky universitet është ndër më të mëdhenjtë në Kosovë dhe në rajon. Njashtu, viteve të fundit është renditur si një ndër universitetet më të mira të rajonit.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës është mbajtur më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970 është mbajtur edhe mbledhja solemne e kuvendit dhe data 15 shkurt u shpall, Dita e Universitetit të Prishtinës.
Themelimi i UP-së paraqiti ngjarjen historike më të madhe për popullin e Kosovës dhe kombin shqiptar.
Tashmë, UP është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Evropiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore evropiane dhe amerikane.
Në përbërje kur është themeluar UP ishin: Fakulteti Filozofik, Juridiko-Ekonomik, Teknik dhe i Mjekësisë. Ndërsa, në ditët e sotme UP ka 14 Fakultete.
Ndër 14 Fakultetet apo njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës janë: Fakulteti Filozofik, i Shkencave Matematike-Natyrore, i Filologjisë, Juridik, Ekonomik, i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, i Inxhinierisë Mekanike, i Mjekësisë, i Arteve, i Bujqësisë, Shkencave sportive, i Edukimit dhe Fakulteti i Arkitekturës.
Ndryshe, sot në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare do të mbahet edhe një ceremoni në nder të 53-vjetorit të themelimit të UP-së. Kjo ceremoni do të fillojë në orën 13:00.