Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë mbështetëse dhe aleate e vendosur e Kosovës.
Ai me anë të një postimi në Twitter, e ka falënderuar deputetin britanik, Alex Sobel, i cili gjatë një seance në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në favor të Kosovës.
“Shumë faleminderit deputetit Alex Sobel, i cili foli për situatën në Kosovë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar ka qenë gjithmonë mbështetëse dhe aleate e vendosur e vendit tonë”, ka shkruar Kurti.
Many thanks to Labour MP @alexsobel for speaking out about the situation in Kosova in the UK Parliament. 🇬🇧 has always been a staunch supporter and ally of our country. https://t.co/1MGAeuSHm1
— Albin Kurti (@albinkurti) February 15, 2023
Teksa Sobel ka folur për Kosovën, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka luajtur rol të rëndësishëm për të ndaluar gjenocidin para 20 vjetësh.
Në videon e shpërndarë, ai dëgjohet duke treguar për një vizitë që ka zhvilluar në Kosovë gjatë vitit të kaluar bashkë me disa deputetë të tjerë dhe për takimet e realizuara me kryeministrin e Kosovës, me presidenten dhe KFOR-in, duke shtuar se ka mësuar se situata e sigurisë është përkeqësuar.
“Dua të ndaj shqetësimet e Kosovës se Serbia do të shkaktojë dhunë në Kosovë, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin në vend e rajon”, tha ai duke shtuar se “Serbia tashmë e ka bërë një gjë të tillë në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes ‘Republikës Srbska’ dhe po tenton të njëjtën gjë edhe në Kosovë.”
Deputeti ka theksuar se serbët me qëllim duan të destabilizojnë Kosovën, duke penguar edhe progresin e dialogut.
“Serbët në Kosovë trajtohen me respekt dhe se duhet të sigurohen marrëdhëniet midis dy etnive në Kosovë, për një Kosovë stabile. Megjithatë, serbët me qëllim tentojnë të destabilizojnë Kosovën, duke penguar progresin e dialogut, në veçanti propozimin franko-gjerman të mbështetur nga Bashkimi Evropian”.