Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të mërkurën në Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) ka thënë se Qeveria e Kosovës me anë të miratimit të Ligjit për Paga ka filluar me veprime të rëndësishme për ndryshimin e gjendjes në shëndetësi.
“Qeveria ka filluar me veprime të rëndësishme për ndryshimin e gjendjes në shëndetësi, duke filluar me miratimin e Ligjit për Pagat, ku mjekëve për herë të parë pas luftës, konsideroj se u jepet rëndësia që ata e kanë dhe pagesa më dinjitoze, për të vazhduar me investime në infrastrukturën shëndetësore”, ka thënë ministri Vitia.
Po ashtu, ministri Vitia ka falënderuar mjekët për kontributin e dhënë në sistemin shëndetësor, në mënyrë të veçantë në vitet e fundit gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19.
Ai ka thënë se mbetet i hapur për bashkëpunim me Odën e Mjekëve, me qëllim të avancimit të sistemit shëndetësor publik në vend.
Nga ana e tij, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka falënderuar ministrin Vitia për praninë në Kuvendin e Odës së Mjekëve dhe ka shtuar se do të jenë aleatë të Ministrisë së Shëndetësisë, ngaqë shëndeti publik është interes i përbashkët.