Studentët kundër Asociacionit: “S’ka Zajednicë”, “Nuk i falim tokat tona”

Protesta e organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", të mërkurën e 15 shkurtit, e mbështetur nga studentë, qytetarë, mërgimtarë e jo vetëm jep mesazhin se një Asociacion njëetnik nuk pranohet nga studentët

Me flamuj të kuq, parulla me shënime si “Zajednica nuk kalon”, “Atdhe tjetër s’kemi”, me studentë nga të gjitha komunat, të shoqëruar nga qytetarë e në mesin e tyre mërgimtarë e pensionerë, u shënua këtë vit 53-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nën moton “Bashkë kundër Asociacionit”, studentët filluan marshin e tyre nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në orën 16:15, pas arritjes së qytetarëve nga komunat e tjera, deri te Teatri Kombëtar, përballë objektit të Qeverisë së Kosovës.

Nga nënkryetarja e Parlamentit Studentor të UP-së, Albë Lala u tha se protesta e së mërkurës paraqet një mesazh të qartë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk pranohet nga studentët.

“Serbia në raport me shqiptarët ka të kaluar kriminale. Ne si studentë të kaluarën dhe historinë tonë nuk do ta harrojmë asnjëherë…Me trupat tanë, me jetët tona do ta mbrojmë Republikën tonë të ndërtuar me aq mund e gjak. Nga ky tubim ju bëjmë me dije autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare se ne nuk pranojmë themelim të Asociacionit”, ka deklaruar Lala, gjersa ka theksuar se në rast të një bashkimi, i njëjti do të bëhej vetëm me Shqipërinë.

Krahas studentëve, pjesë e protestës ishte edhe çifti nga Zvicra. Së bashku me të shoqen, Ramiz Kryeziu ka thënë se shpreson që thirrja e bashkuar e studentëve të shërbejë në parandalimin e planeve të dëmshme për Kosovën.

“Studentët gjithmonë kanë prirë…Tash shpresoj që i bëjnë do ndalesa e i ndalojnë do plane që janë negative për Kosovën e me i tregu botës që nuk i ndajmë trojet shqiptare”, deklaroi Kryeziu.

Pensioneri Refik Shala thotë se ka ardhur koha për t’i mbështetur përsëri studentët.

“Isha pjesëmarrës i demonstratave të 81-tës, erdhi koha t’i mbështesim përsëri studentët”, ka deklaruar ai.

Shala shoqërohej nga Shukri Retkoceri i cili mbështetjen për studentët e dha gjersa mbante veshur rrobat kombëtare.

(Djathtas) Shukri Retkoceri dhe Refik Shala (majtas)

Marshi mbaroi në mënyrë paqësore e të njëjtit iu bashkuan edhe organizatat e dala nga lufta e figura politike.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Brukselit apo Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve në prill vitit 2013. Pjesë e kësaj marrëveshjeje ishte edhe formimi i AKS-së.

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese deklaroi se parimet e përgjithshme të dokumentit mbi AKS-në nuk ishin në koordinim të plotë me frymën e Kushtetutës.

Ndërkaq, ndonëse formimi i një asociacioni njëetnik ishte kundërshtuar dukshëm nga kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, i njëjti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit në Kuvendin e Kosovës, më 2 shkurt të këtij viti.

  • “Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
  • Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës.
  • Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
  • Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
  • Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Kosovën.
  • Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE”, kishte deklaruar Kurti.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika