Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e dhënë për mediumin e Shqipërisë TV Klan, ka deklaruar se de facto plani evropian e parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia.
Por, ai ka theksuar se ky plan është më tepër një marrëveshje bazike, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është një marrëveshje finale.
Kurti ka deklaruar se plani evropian nuk është menduar si marrëveshje finale, por që parashihet njohja de facto.
“Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës ka theksuar se ky plan është më tepër marrëveshje bazike, e cila krijon normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, jo normalizim i plotë.
Marrëveshja, sipas tij, nëse arrihet do të jetë ligjërisht e obligueshme për të dyja vendet.