Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa i është drejtuar deputetëve të LVV-së dhe kabinetit qeveritar, ka kërkuar të tregohen sukseset e arritura nga kjo qeveri.
Ajo ka theksuar se do të ishte mirë që qeveria të flasë me terma konkretë, kur bëhet fjalë për sukseset.
“Është mirë që kur flisni për suksese, të dilni dhe t’i listoni ato. Është mirë të tregoni se cilat janë sukseset në ekonomi, cila është një reformë e vetme e cila është marrë në fushën e politikave fiskale, cilat rrugë janë ndërtuar, cilat projekte kanë filluar ose janë në progres, cilat shkolla e çerdhe janë ndërtuar. Na tregoni me terma konkretë se çka po quani sukses. Kur flisni për suksese, na tregoni sepse nuk po i shohim ne dhe qytetarët”, ka thënë ajo.
Ajo ka kërkuar të listohen sukseset e arritura në secilën fushë.
“Kur flisni për luftën kundër korrupsionit, ju kujtoj që në vitin 2017, kur ju e quanit në atë kohë qeverinë të korruptuar, kemi qenë të renditur si sot. Është mirë të na tregoni ndonjë sukses të vetëm në fushën e shëndetësisë, sepse gjendja atje është më e rëndë çdoherë. Ku është rritja ekonomike? Ju e dini që e kemi një bazë të ulët. Cili është veprimi konkret që ju e keni ndërmarrë dhe çka quani ju sukses? A është luftë kundër korrupsionit që ta lini ende Martin Berishajn ambasador, a është luftë kundër korrupsionit kur bordi për miniera dhe minerale i përzgjedhur nga ju i fal një kompanie 9 milionë euro”, shtoi ajo.