Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka pyetur Qeverinë e Kosovës se kush duhet të japë përgjegjësi për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit. Një reagim i tillë erdhi pas deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Abazi ka akuzuar partinë e tij, duke thënë se ekzistojnë video-incizime që shihet kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Dehari. Ai ka theksuar se Prokuroria Speciale duhet të marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Goga-Bajrami për rastin. E për gjithë këto pretendime, Abazi do të intervistohet nga Prokuroria Speciale.
Kica-Xhelili përmes një postimi në Facebook ka shkruar se mostrat e Deharit “nuk janë vetëm dëshmi, por janë zëri i për të vërtetën”.
Ndërsa, ka theksuar se Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë nuk duhet falur sekondat që kalojnë pa të vërtetën rreth kësaj çështjeje.
“Qeverisë e sidomos Ministrisë së Drejtësisë nuk mund t’i falet ASNJË sekondë më tepër për çdo ditë që kalon pa këtë të VËRTETË! Njësoj vlen për Institutin e Mjekësisë Ligjore e Prokurorinë. KU janë mostrat? KU janë incizimet? KUSH e ka ndërmend të japë përgjegjësi në këtë vend pa cinizëm përçarës politik?”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas Kica-Xhelilit, mungesa e transparencës dhe gjuha përçarëse po e lëndojnë demokracinë në vend.
“Demokracitë nuk vdesin gjithmonë në errësirë. Ato vdesin me dritat e ndezura, nga njerëz të zgjedhur me mjete demokratike.” – thuhet në librin “Si vdesin demokracitë”, nga dy shkencëtarë politikë të Universitetit të Harvardit. Kjo mungesë e transparencës; kjo gjuhë përçarëse e kjo mungesë absolute e dhënies së llogarisë po na lëndon demokracinë, hapur e me të gjitha dritat ndezur”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Abazi për rastin Dehari: Ekzistojnë video që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat