Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në oborrin e Kuvendit të Kosovës me ceremoni shtetërore. Ata më pas vazhduan për në zyrën e Presidencës.
Begaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se Kosova e pavarur, jo vetëm që i ka dhënë shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin më të sigurt.
“Kosova e pavarur i ka dhënë jo vetëm shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin tonë më të paqtë e të sigurt, si dhe kombin shqiptar të lirë të rigjejë rrugën e munguar padrejtësisht të bashkëpunimit kombëtar”, ka shkruar ai.
Po ashtu, Begaj ka thënë se gjatë takimit me homologen e tij e ka uruar në emër të të gjithë shqiptarëve për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Ndër të tjera, ai ka thënë se për të është kënaqësi të jetë në Prishtinë më rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Kënaqësi e veçantë të jem në Prishtinë me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë. Urova në emër të të gjithë shqiptarëve Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për këtë përvjetor kaq të rëndësishëm. 15 vite janë shumë pak për një komb, e për më tepër për një komb të lashtë. Por këto 15 vite Pavarësi të Kosovës kanë demonstruar në mënyrë shembullore e të sintetizuar vlerat më të mira e shumë shekullore të kombit shqiptar”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka thënë se gjatë takimit me Osmanin ka vlerësuar ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, duke i konsideruar ato jo vetëm vëllazërore e të një natyre strategjike, por edhe shumë dinamike.
“Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës është unikale për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të dy shteteve”.
Presidenti Begaj po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë.
Ndërkohë, pasdite, Begaj do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.