Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur i mllefosur me mënyrën e diskutimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Hoti, në Kuvendin e Kosovës i ka thënë Muratit të mos i drejtohet më as në emër as në mbiemër, pasi, sipas tij, qasja e ministrit është fyese për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Tutje, Hoti ka thënë se qasja e ministrit Murati nuk po e lë që ta respektojë as si njeri.
“Nuk e di a ka mbetur ndonjë deputetë nga opozita që nuk është fyer nga ky ministër. E lus që në diskutimet e ardhshme mu me mu drejtu si deputet, si deputet i LDK-së, ose parafolësi. As emrin as mbiemrin mos ma përmend se e ndiej fyerje kur del prej teje. Po mundohem ta gjej një zgjidhje, por ti nuk po le hapësirë për të të respektuar as si njeri e le si ministër”, ka thënë ai.
Hoti ka thënë se ministri Hekuran Murati nuk e ka idenë se cfarë ka ndodhur me tatimin në pronë.
Sipas tij, ai ka dështuar edhe në vlerësimin e pronave.
“Si përcaktohet norma, ngarkesa tatimore, normat nuk i kanë caktuar komunat, e ke ndryshuar vlerëismin edhe aty ke dështuar, a pe sheh qysh të kanë dalë vlerat e pronave në ‘Tophane’, ‘Marigonë’ dhe midis Prishtinës, edhe në vlerësim ke dështuar, s’e ke pasur idenë cka ka ndodhur”, ka thënë ai.
Hoti e ka kritikuar Muratin edhe për mungesë komunikimi me drejtorët që punojnë në Ministrinë e Financave.
“Në tetor ka ndodhur raporti e ke marrë vesh në janar, sepse ti nuk komunikon me njeri të gjallë në Ministri, ti nuk i mbledh drejtorët ta kuptojnë çfarë po ndodh. Ti e ke marrë vesh kur kanë filluar faturat të gjenerohen, kur e kemi ngritur ne si problem e si mundesh të dalësh t’i fyesh njerëzit, ‘e pavërteta e parë e dytë dhe e tretë’, çfarë lloj komunikimi është ky, nuk është as njerëzor, ti nuk e meriton respektin tim, t’u kisha lutur të mos ma përmendësh më as emrin a mbiemrin”, ka thënë ai.
Debati në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet për rritjen e tatimit në pronë.