Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se pikturat që i ka bërë ish-pjesëtari i UÇK-së në Hagë, do të ekspozohen edhe në Tiranë.
Selimi që gjatë luftës ishte shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së, tani ndodhet në paraburgim nën akuzat për krime lufte, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin.
Rama, nëpërmjet një njoftimi, ka theksuar se “Selimi ndodhet në Tiranë përmes ekspozitës së tij, për të na njohur me 153 pikturat e tij”.
“Kryeministria, COD – Në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Rexhep Selimi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndodhet në Tiranë përmes ekspozitës së tij, për të na njohur me 153 pikturat e bëra gjatë qëndrimit në paraburgimin e Gjykatës Speciale të Hagës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Këto piktura gjithashtu u ekspozuan edhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës, e ajo që i kishte bartur pikturat nga Holanda, ishte gruaja e tij, deputetja Shqipe Selimi.