Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, ka thënë se nuk ka rëndësi se çfarë qëndrimi ka opozita për një propozim të cilin e përkrah kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas saj, vetëm çka i përket parlamentit është transparenca.
“Ne kërkojmë nga kryeministri që të ketë një qëndrim, askush nuk po e akuzon çka pranon pse pranon, ne duam transparencë”, ka thënë ajo.
Musliu – Shoshi e ftuar në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka deklaruar se si opozitë nuk kanë asnjë informatë se cili është plani i zbatimit për marrëveshjen finale në dialogun Kosovë-Serbi, dhe se për çka ka negociuar Kurti.
Ajo ka thënë se nëse e ka një propozim të cilin Kurti e quan merre ose lëre, atëherë negociatat, sipas saj, në këtë rast janë fare pa efekt.
“Ne nuk kemi asnjë informatë se cili është plani i zbatimit, për të cilin ne duhet të kemi informatë të saktë se cili është plani i zbatimit, cilat janë zotimet se për çka ka negociuar Kurti, nëse e ka një propozim të cilin e quan merre ose lëre, atëherë negociatat janë fare pa efekt. Pasi e merr apo e pranon një propozim te tillë, sepse negociatat janë bërë vetëm deri në momentin kur e ke pranuar, kur e pranon atëherë është zbatimi, dhe për ne kjo është e rëndësishme”, ka deklaruar ajo.
Deputetja nga radhët e PDK-së, tutje ka thënë se opozita në vazhdimësi ka pasur mostransparencë, për shkak se ata ende nuk e dinë se çfarë përmban plani franko-gjerman, e që sipas saj, Kurti ka pasur disa herë ndryshime.
“Ne nuk e dimë as cili ka qenë versioni i parë dhe as cili është versioni final. Për shkak se ne kemi një terr informativ dhe bazohemi në atë që e thotë kryeministrit”, ka deklaruar ajo.
“Dhe ne në atë dokument e dimë që është edhe Asociacioni, Statusi i veçantë i Kishës Ortodokse, dhe ne nuk e dimë se cili është qëndrimi i kryeministrit”, është shprehur tutje ajo.
Ndërkaq, ajo ka deklaruar se Kurti vazhdimisht i ndërron qëndrimet për të gjitha çështjet, dhe se sipas saj, qëndrimet e tij nuk janë asnjëherë të njëjta dhe stabile.