Këngëtarja me preardhje nga Kosova, e me renome ndërkombëtare, Rita Ora ka uruar Kosovën në Ditën e Pavarësisë.
Në 15-vjetorin e Pavarësisë, Ora ka uruar Kosovën nëpërmjet një video-mesazhi.
Video-mesazhin e ka nisur me një pjesë të këngës “Shine your light” të cilët e pati incizuar në Kosovë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj të Instagram-it, ku ajo numëron jo më pak se 16 milionë ndjekës, Ora ka shkruar “Urime Ditën e Pavarësisë”, teksa e ka shpërndarë një video të performancës në Prishtinë, shoqëruar me ritmet e muzikës tradicionale shqiptare.
Rita Ora përndryshe ka qenë e para këngëtare shqiptare nga Kosova e cila ka depërtuar në tregun e huaj të muzikës.
Ajo gjithashtu mbetet shqiptarja e vetme me renome botërore që i ka dedikuar këngë vendit të saj në vitin 2012, të titulluar “Shine Ya Light”.
Ora ishte e ftuar speciale në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës pesë vjet më parë, në një koncert gjigant dhe të paharruar që mbajti para popullit shqiptar në Prishtinë.
Që nga viti 2015, me dekret të presidentes së atëhershme të vendit, Atifete Jahjaga, Rita Ora është shpallur ambasadore nderi e shtetit të Kosovës.